LOADING CLOSE

Përmirësimi i standardeve të punës në sektorin e shërbimeve (BPO) rrit punësimin dhe ekonominë e vendit

Përmirësimi i standardeve të punës në sektorin e shërbimeve (BPO) rrit punësimin dhe ekonominë e vendit

Shoqata Albanian Business Services Association (ABSA) në partneritet me shoqatën “Together for Life” (TFL) kanë filluar zbatimin e projektit “Mbështetje sektorit BPO” përmes kuadrit ligjor, avokimit dhe lobimit me qëllim rritjen ekonomike dhe punësimin”, i cili mbështetet financiarisht nga RisiAlbania.
Qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i sektorit BPO përmes lehtësimit të politikave të biznesit me qëllim rritjen ekonomike dhe të punësimit. Ndërsa, objektivat e tij specifikë janë:

i. Analizimi dhe krahasimi i legjislacionit shqiptar me atë të vendeve të rajonit dhe të BE-së me qëllim sjelljen e praktikave pozitive në këtë sektor, si dhe lobimi dhe avokimi në mbështetje të këtij sektori.
ii. Kualifikimi i profesioneve në sektorin Call Center dhe monitorimi i zbatimit të VKM nr. 47/2008, “Për programin e nxitjes së punësimit, nëpërmjet formimit në punë”, i ndryshuar, për sa i takon trajnimit të punonjësve të Call Center;
iii. Promovimi i sektorit të BPO-ve si një sektor pozitiv për rritjen ekonomike shqiptare;
iv. Lehtësimi i diversifikimit të tregut për kompanitë BPO dhe ndërtimi i kapaciteteve të organizatave zbatuese.

Rezultatet e këtij projekti synojnë të ndihmojnë institucionet përgjegjëse shtetërore për të njohur më mirë problematikën e këtij sektori, si dhe për miratimin e masave të nevojshme legjislative apo administrative për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe nënligjor përkatës.

Gjithashtu projekti synon në respektimin më të mirë në praktikë të të drejtave të punëmarrësve dhe punëdhënësve në këtë sektor me rëndësi të madhe për shoqërinë dhe ekonominë familjare të shumë shtetasve shqiptarë.

*Sektori BPO përfshin të gjitha aktivitetet e shërbimeve të nënkontraktuara të biznesit